A ishte Arkani vrasësi i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës?

Jusuf-e-Bardhodh-Gervalla-dhe-Kadri-Zeka-640x535

Arrestimi i shefit të sigurimit shtetëror kroat, Josip Perkoviq, mund të zbulojë përfshirjen e kriminelit serb Zhejko Razhnatoviq – Arkan në vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës.

Një ish-pjesëtar i sigurimit shtetëror jugosllav, i cili kohë më parë ka folur për “Blic”, e kishte ndërlidhur emrin e Arkanit me vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës dhe të emigrantit kroat Stjepan Gjurekoviq.

Vrasja e Gjurekoviqit është bërë shkak që ish-shefit të policisë sekrete të Jugosllavisë dhe Kroacisë, Josip Perkoviq, ndonëse  është liruar nga paraburgimi, t’i ndalohet largimi nga vendi dhe t’i konfiskohet pasaporta, me vendim të një gjykate kroate.

Avokati i Perkoviqit, Ante Nobilo, ka thënë se do t’i kundërvihet vendimit eventual për ekstradimin e Peroviqit në Gjermani, ku akuzohet për vrasjen e Gjurekoviq. Nobilo e ka mbrojtur klientin e tij, duke thënë se këtë vrasje nuk e kanë kryer shërbimet kroate, por shërbimet e Serbisë dhe Malit të Zi.

Por avokati Bernd Von Hajnstel, i cili ka qenë gjykatës kryesor në procesin kundër Krunoslav Prates, i cili ishte i akuzuar për vrasjen e Gjurekoviqit, është i bindur se Perkoviq ka qenë pjesëmarrës në këtë vrasje.

“Në fund të procesit kemi qenë të bindur se Perkoviqi ka qenë pjesëmarrës në vrasjen e Gjurekoviqit. Perkoviq ka qenë ai që ka dhënë urdhërin dhe që i ka pasur të gjitha në dorë”, ka thënë ai për radion “Dojçe Vele”.

Mediat serbe shkruajnë se arrestimi i ish-shefit të UDB-së në Kroaci, Josip Perkoviq, mund të çojë drejt zbulimit të rolit të Zhelko Razhnatoviq-Arkan në likuidimin e kundërshtarëve të regjimit të ish-Jugosllavisë.

Sipas gazetës beogradase “Blic”, askush në Serbi nuk ka dhënë përgjegjësi për vrasjet e emigrantëve serbë dhe as nuk është nisur ndonjë hetim. Por, tashmë dihet roli i kriminelëve serbë, siç është Arkan, i cili ka vrarë në emër të sigurimeve të armatës jugosllave (KOS) dhe UDB-së.

Shefi i dikurshëm i shërbimit shtetëror jugosllav, Stane Dolanc, kishte thënë se “Arkani vlen më shumë se sa krejt shërbimi”.

Një ish-pjesëtar i Sigurimit Jugosllav, ka folur në kushte anonimiteti për Arkanin dhe për përfshirjen e tij në likuidimin e shqiptarëve.

“Besimin që e kishte fituar në qarqet e udbashëve e ilustron detyra që e kishte marrë atëherë nga sigurimi shtetëror për të neutralizuar një çerdhe të fuqishme të emigracionit në rrethinën e Shtutgardit. Dy javë është ushqyer me konserva dhe ka fjetur në kulmin e ndërtesës ku është dashur të takohen tre terroristët. Ndërkohë që shërbimin e kishte njoftuar se në objekt ndodheshin 15 shqiptarë dhe se ky ishte një rast i mirë”, ka thënë ky oficer.

Sipas këtij ish-pjesëtari të sigurimit jugosllav, Arkani e kishte përfunduar me sukses misionin.

Siç dihet, më 1982, në afërsi të Heilbronnit,  në Gjermaninë Perëndimore, ishin vrarë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Dyshohet se vrasja ishte organizuar nga shteti jugosllav, por dorasit nuk janë zbuluar kurrë.

Ndërkohë, për këtë atentat të trefishtë janë plasuar shumë versione.

Rreth përfshirjes së Arkanit në këto vrasje ka folur edhe zëvendëspresidenti i INTERPOL-it, Budimir Baboviq, i cili ka thënë se ishte folur shumë që Arkani ka qenë ekzekutor i ngarkuar nga shërbimi shtetëror për eliminimin e kundërshtarëve të ish-regjimit.

“Ai (Arkan) edhe publikisht është lavdëruar dhe i ka treguar edhe revolet që i ka marrë nga sigurimi shtetëror nga ish zyrtarët e lartë të shtetit”, është shprehur ai.

Zhelko Razhnatoviq – Arkan ka qenë udhëheqës i formacionit paraushtarak serb “Beli tigrovi” (Tigrat e bardhë) që kanë marrë pjesë në masakra të kryera gjatë luftës në Bosnë e Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë.

Ai është vrarë më 15 janar të vitit 2000, në një hotel në Beograd. (r.m.)

Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gervalles dhe Kadri Zekes
Varrimi i Jusuf e Bardhosh Gervalles dhe Kadri Zekes

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.